BSH: Buxheti 2019 ulë borxhin publik

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ – Banka e Shqipërisë vlerëson se projekt buxheti i vitit 2019, do të ulë borxhin publik dhe do të mbështesë trendin e rritjes ekonomike.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko parashtroi sot përpara Komisionit Parlamentar të Ekonomisë vlerësimet mbi projektbuxhetin e vitit 2019.

Sejko tha se “projekt buxheti i vitit 2019 parashikon uljen e mëtejshme të deficitit buxhetor në nivelin 1,9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kundrejt nivelit 2% të pritur në 2018”. “Konkretisht, uljen e borxhit publik në nivelin e 65,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kundrejt nivelit 69,1% të pritur për vitin 2018”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, theksoi se ky buxhet “ul normat e interesit, nxit kreditimin dhe lehtëson uljen e borxhit”.

Guvernatori sugjeroi se “në opinionin tonë, konsolidimi fiskal duhet të vazhdojë të jetë prioritet i politikave fiskale dhe udhërrëfyesi kryesor i buxhetit në të ardhmen. Banka e Shqipërisë konstaton se projektbuxheti i paraqitur, e përmbush këtë mision”.

“Gjithashtu projekt buxheti i vitit 2019 mbështetet në projeksione ekonomike dhe fiskale të pranueshme. Ne vlerësojmë se projektbuxheti i vitit 2019, ruan tendencën e konsolidimit fiskal dhe ul rrezikun në ekonomi”, deklaroi Sejko.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.