Ambasadori Poda i paraqet kredencialet Presidentes së Kroacisë

TIRANË,19 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, Riza Poda i dorëzoi sot Letrat Kredenciale, Presidentes së Republikës së Kroacisë, Kolinda-Grabar Kitarovic.

Pas ceremonisë së paraqitjes të Letrave Kredenciale, Presidentja Kitarovic dhe ambasadori Poda, patën një takim kortezie.

Presidentja e Republikës së Kroacisë, i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re z. Poda dhe në vijim u zhvillua një bisedë në frymë miqësore, gjatë të cilës u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes të dy vendeve, si dhe bashkëpunimi për çështje dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Ambasadori Poda në fjalën e tij, falenderoi Presidenten Kitarovic për mbështetjen që Republika e Kroacisë i ka dhënë në vazhdimësi proceseve të integrimit të Shqipërisë në BE.

Republika e Kroacisë, vijoi Poda, konsiderohet aleate e fortë dhe shembull nxitje për vendet e rajonit për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.