Turizmi baritor, a duhet menduar?!… Shembulli është Kurveleshi

Turizmi baritor, a duhet menduar?!…Shembulli është Kurveleshi

Turizmi baritor, a duhet menduar?!…Shembulli është Kurveleshi.Vet gjeografia dhe tradita e vendit ton e ofrojnë këtë mundësi. Kemi male dhe hapësira pyjore pa fund, kemi traditën dhe kulturën baritore që në epokën Ilire, atë të Skënderbeut, e deri vonë, që për një moment u duk se u harrua apo u zhduk në periudhën e tranzicionit.https://ata.gov.al/2018/11/18/turizmi-baritor-a-duhet-menduar-shembulli-eshte-kurveleshi/Kurveleshi dhe fshatrat e Labërisë janë shembulli më konkret dhe më i dukshëm, sepse janë më të aksesueshëm në pikëpamjen infrastrukturore, por kemi dhe gjithë malësinë e veriut që është kthyer fuqishëm në traditën e blegtorisë dhe të rritjes së dhisë kryesisht.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E diel, 18 Nëntor 2018

TIRANË, 18 nëntor/ATSH-N.Lena/ – Vetë gjeografia dhe tradita e vendit tonë e ofrojnë këtë mundësi. Kemi male dhe hapësira pyjore pafund, kemi traditën dhe kulturën baritore që në periudhën ilire, atë të Skënderbeut, e deri vonë, që për një moment u duk se u harrua apo u zhduk gjatë tranzicionit, i shoqëruar me ikjen masive të të rinjve dhe ja, po rikthehet fuqishëm. Këtë e vërejmë në pjesën malore të vendit si në malësitë e Jugut, apo në Shqipërinë e Veriut.

Kurveleshi dhe fshatrat e Labërisë janë shembulli më konkret dhe më i dukshëm, sepse janë më të aksesueshëm në pikëpamjen infrastrukturore, por kemi dhe gjithë malësinë e Veriut që është kthyer fuqishëm në traditën e blegtorisë dhe të rritjes, kryesisht të dhisë.

Po të ngjitesh në lartësitë e Malësisë së Madhe apo të Tropojës, Pukës apo Kukësit, Dibrës e Elbasanit, do të shikosh kope të mëdha me dhi e dele të mbarshtuara. Dhia, me në krye cjapin, janë autoktonë në këto troje, kjo edhe për vet faktin se përfaqësojnë vet “Zotat” në këto anë. Kur shikon këto kope dhish që rrëshqasin faqeve malore në hapësirat tona pyjore, të shëndetshme dhe lozonjare, bëhesh kureshtar dhe ndalesh t’i shikosh apo t’i prekësh. Kështu më ndodhi para ca ditësh kur ngjitesha për në Razëm mbi Shkodër, apo kur kam udhëtuar drejt Tropojës, malësisë së Tomorrit, Përmetit apo Leskovikut. Shumë vizitorë vendas e të huaj ndalen, bëjnë foto e filmime, bisedojnë me çobanët dhe largohen me një buzëqeshje. Tashmë dihen trevat tona që rrisin dhinë, si specie të veçantë prodhimtare të qumështit e nënprodukteve të tij, por edhe të mishit.

Simboli i dhisë dhe në veçanti i cjapit, është i lashtë dhe tepër i diskutueshëm edhe sot, për simbolikën e tij. E mbante në përkrenaren e tij Skënderbeu dhe nuk lejohej të mbahej nga fisnikët e tjerë… vetëm ai!

Ishte një lidhje e fshehtë që lidhej me Kristianizmin, që cjapin e lidhnin me simbolin e shenjës së “Bricjapit” e që lidhet me Saturnin?! Erdhi nga Templarët, mbrojtësit e Kristianizmit…?! Dhe jo më kot, Skënderbeun e quanin mbrojtës të Kristianizmit. Por, grekët e vjetër, e quanin cjapin (Panin) perëndinë e kopeve, të dhive, të gjësë së gjallë që i mbronte ato. Paraqitej gjysmëcjap, gjysmënjeri dhe gjithmonë me mjekër. Quhej dhe Perëndia e kritikës artistike, gaztor dhe i muzikës baritore, fshatit…

Kjo specie kaq simbolike dhe enigmatike, kullot maleve tona dhe tashmë është kthyer në një objekt vëzhgimi për vizitorët turistikë. Dhe këtë e pamë në Kurvelesh.

Vetëm pak kilometra nga deti, në një natyrë të mrekullueshme shtrihet Kurveleshi me fshatrat e tij si Nivica. Mund të vizitohen brenda ditës ose mund dhe të qëndroni një natë në bujtinat e zonës.

Kanionet e Nivicës janë një pasuri natyrore e turizmit malor në Jug të Shqipërisë, tashmë pjesë e këtij turizmi bëhen dhe tufat e mëdha të dhive me krenarinë, elegancën dhe enigmën e tyre.

Kushdo që ka udhëtuar qoftë dhe një herë drejt Kurveleshit, ato i janë shfaqur përballë ndërsa ngjitesh rrugës për në Progonat.

Për këtë krahinë, për ekosistemin e saj, për kanionet e bukur, por edhe për agroturizmin, kanë shkruar medie prestigjioze si “National Geographic Explorer”, i cili përzgjodhi Projektin Nivica si pjesë e serive dokumentare të këtij televizioni, të titulluar “Vende që frymëzojnë”.

Ekipi xhiroi në malësitë e thella të Kurveleshit për të dokumentuar jo vetëm jetën dhe natyrën e kësaj zone të panjohur, por edhe përpjekjet që po bëhen për të krijuar një model turizmi, të bazuar në mbrojtjen e natyrës dhe vlerave historike.

Seria e dokumentarëve “Vende që frymëzojnë” është një cikël kushtuar projekteve që ndryshojnë jetën e njerëzve dhe vendeve ku ndodhin ato. Nga Kina në Japoni, Peru apo Kosta-Rika, në malet e Himalajave dhe tani në zonën e Kurveleshit, “National Geographic” është një prej medieve më të njohura në botë, e cila ka filluar një projekt ndërkombëtar për të mbështetur vende, njerëz apo projekte të ndryshme që kërkojnë të krijojnë një filozofi turizmi mjaft të ndryshëm nga turizmi masiv, apo turizmi që nuk respekton natyrën dhe historinë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.