Basha: Seleksionim i kandidatëve për deputetë sipas modelit britanik

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot, se Partia Demokratike ka miratuar procesin për përzgjedhjen e kandidatëve deputetë.

Në një deklaratë për median nga selia e PD-së, Basha tha se “Partia Demokratike që në muajin prill ka miratuar në statutin e saj një proces të përzgjedhjes së kandidatëve për deputet që e kalon vendimmarrjen tek anëtarësia e PD”.

Basha deklaroi se përzgjedhja e kandidatëve për deputetë do të bëhet sipas standardeve europiane duke marrë përvojën më të mirë britanike për mënyrë e seleksionimit.

Gjithashtu u shpreh ai, PD-ke ka vendosur po në këtë statut garancitë që kandidatët të jenë njerëz me integritet dhe vlera të larta morale dhe përkushtim ndaj vlerave për të cilat qëndron PD, demokracisë e lirisë.

“Sot demokracia shqiptare ndodhet në një krizë të thellë. Qytetarët shqiptarë shohin se përfaqësohen nga njerëz në Kuvend që s’kanë lidhje me partitë politike, siç është organizuat e Rilindjes, ku në mesin e saj gjendjen biznesmen me kredencialë të dyshimta. Kjo duhet të marrë fund. Që të marrë fund PD po kontribuon në dy drejtime. Në procesin e dekriminalizmit, dhe përmes propozimit tonë për vettingun e politikanëve, përmes vet reformës së politikës, reformës zgjedhore dhe të partive politike. Kemi hedhur hapin konkret të ndryshimit statutor dhe po marrim përvojën më të mirë në botë, për seleksionim të kandidaturave”, – tha Basha.

Deklarata e kryetari të Partisë Demokratike Lulzim Basha erdhi pas një takimi që ai zhvilloi në selinë blu, në Tiranë me përfaqësues të Partisë Konservatore britanike. e.xh/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.