Vlerësime ndërkombëtare për derregullimin dhe inovacionin në shërbimet publike

TIRANË, 16 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/ – Procesi i derregullimit dhe dixhitalizimi i shërbimeve publike, të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare si instrumente të rëndësishme për uljen e nivelit të korrupsionit, kanë marrë vlerësime mjaft pozitive në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë me temë “Zhvillimi i Strategjive Antikorrupsion për epokën dixhitale – tendencat e fundit dhe praktikat më të mira nga OSBE-ja”.

Në këtë konferencë të organizuar në Romë, merrnin pjesë drejtues të lartë të OSBE-së, ministra dhe figura politike nga vendet anëtare të OSBE-së, si dhe ekspertë të fushës së antikorrupsionit dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ishte pjesë e konferencës, me ftesë të Përfaqësueses Speciale të Kryesisë italiane të radhës së OSBE-së për luftën kundër korrupsionit, Paola Severino.

Gjatë punimeve të konferencës, referues të ndryshëm si Paola Severino, Gianluca Esposito, sekretar ekzekutiv i GRECO-s, Antonio Gullo, profesor i së drejtës penale në Universitetin “LUISS Guido Carli”, Romë dhe Alina Mungiu-Pippidi, profesore e studimeve demokratike në Berlin kanë vlerësuar si efikase dhe me rezultate konkrete nismat e qeverisë shqiptare për derregullimin dhe përdorimin e inovacionit në shërbimet publike. Sipas tyre këto nisma po japin ndikimin e tyre në minimizimin e hapësirave për korrupsion në administratën publike.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Gjonaj konfirmoi prioritetin absolut të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe prezantoi reformat e thella që janë ndërmarrë në funksion të kësaj lufte si dhe të forcimit të shtetit ligjor.

“Ne jemi duke zbatuar një reformë të thellë e gjithëpërfshirëse në drejtësi, e cila reflekton standardet e BE-së dhe po jep rezultate konkrete në përpjekjet tona për t’u dhënë qytetarëve një sistem gjyqësor të pavarur, të përgjegjshëm dhe të paanshëm. Po përgatitemi për të ngritur institucione të posaçme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, që përfshijnë gjykatat e posaçme si dhe strukturën e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK), e cila ka në përbërje Prokurorinë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit”, është shprehur ministrja Gjonaj.

Më tej, ministrja është ndalur në strukturat e reja antikorrupsion që drejtohen prej saj në rolin e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, duke prezantuar rezultatet konkrete që këto struktura po prodhojnë, përmes evidentimit dhe ndëshkimeve të një numri të konsiderueshëm drejtuesish dhe nëpunësish të administratës shtetërore të akuzuar për korrupsion.

Ministrja Gjonaj është shprehur se Qeveria e Shqipërisë e konsideron inovacionin dhe derregullimin e shërbimeve si një mjet substancial për të luftuar korrupsionin. Sipas saj, një shumëllojshmëri prej 575 shërbimesh publike, që më parë kanë qenë në dispozicion të qytetarëve vetëm me mjete tradicionale, tashmë janë të disponueshme edhe në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania, të aksesueshëm nga telefoni celular, kompjuteri, kioska dixhitale etj.

Duke iu referuar procesit të Integrimit Evropian, ministrja Gjonaj është shprehur se janë ndërmarrë një sërë hapash. “Miratimi i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, Ligjin mbi Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, Detyrimet Financiare të Personave të Zgjedhur dhe disa Zyrtarëve Publikë, Ligjin Anti-Mafia dhe Ligjin mbi Financimin e Partive Politike janë hapa vendimtarë në luftën kundër korrupsionit, të pranuara edhe nga raporti i fundit i GRECO-s, i cili është i lidhur ngushtë me sistemet inovative të komunikimit, për më shumë transparencë dhe bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar”, ka deklaruar Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë e ka mbyllur fjalën e saj duke dhënë garanci për përkushtimin ndaj forcimit të bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare të antikorrupsionit, si dhe për angazhimin e plotë në nismat e reja rajonale antikorrupsion.

Në kuadër të Konferencës, ministrja Gjonaj është takuar me përfaqësues të lartë të Qeverisë Italiane, ish-ministren Paola Severino dhe ministrin e Drejtësisë Alfonso Bonafede, të cilët kanë rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen e tyre për reformat në Shqipëri, si dhe për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm të fushën e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.