FOTO/ ”Shirli Valentina” në Elbasan, udhëtimi i jashtëzakonshëm i një gruaje të zakonshme

TIRANË,16 nëntor /ATSH/ – Komedia “Shirli Valentina” me aktoren Olta Daku shoqëroi publikun për dy mbrëmje me radhë në skenën e teatrit “Skampa” në qytetin e Elbasanit.

Vepra e autorit Willy Russell në skenë, me regji nga Driada Dervishi dhe protagoniste në rol aktoren e njohur Olta Daku, vijon të udhëtojë në skena të ndryshme të teatrove për publikun.

Në vepër Shirli është një 42-vjeçare, por se çfarë mendon të bëjë ajo kjo tregohet në komedinë e autorit të njohur anglez Willy Russell.

Komedia “Shirli Valentina” e shkruar nga anglezi Willy Russell ka në qendër një grua që i duhet të përballet përditë me muret e kuzhinës. Kjo është një komedi klasike dhe moderne, nga e cila sipas regjisores Dervishi publiku do të vazhdojë të buzëqeshë gjatë, edhe pasi shfaqja të ketë mbaruar.

E vënë në shumë skena të botës, vepra “Shirli Valentina” është edhe fituese e çmimit “Lorenc Oliver” si komedia më e mirë e vitit 1988. Përmes humorit tregohet një udhëtim i jashtëzakonshëm i një gruaje të zakonshme. Shirli Valentina, vjen nga një aktore që mishëron si humorin, ashtu dhe ngrohtësinë, si vrullin, ashtu dhe kurajon, si sarkazmën, e po aq natyrshëm dhe autoironinë, Olta Daku, e cila përmes Shirlit fton për të besuar se nuk është asnjëherë shumë vonë për të realizuar ëndrrat.

Një nga veprat më të suksesshme të autorit anglez Willy Russell kjo komedi, e cila qëndron prej tri dekadash në repertorin e teatrove angleze dhe pasi është vënë në mbi 30 vende në mbarë botën, vjen edhe në skenat teatrore në Shqipëri. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.