Zyrtarë të drejtësisë kosovare, vizitë treditore në Mbretërinë e Bashkuar

PRISHTINË, 15 nëntor /ATSH/ – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci, dhe anëtarët e tjerë të delegacionit nga radhët e sistemit të Drejtësisë, si dhe përfaqësues të Ambasadës amerikane në Kosovë dhe Ambasadës britanike në Kosovë, janë në një vizitë treditore në Mbretërinë e Bashkuar.

Delegacioni kosovar pati takime me Gjykatën më të madhe penale në Mbretërinë e Bashkuar, Old Bailey, ku u shkëmbyen përvojat në lidhje me luftimin efikas të kriminalitetit. Po ashtu, delegacioni kosovar vizitoi edhe Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë ditës së sotme, Kryeprokurori Lumezi dhe delegacioni kosovar do të takohen edhe me Këshillin Britanik për Politika Ndëshkimore, ku do të shtjellohen tema në lidhje me zbatimin e udhëzuesve për politika ndëshkimore, si dhe marrja e përvojave britanike me mundësinë që të njëjtat të gjejnë zbatimin edhe në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Prokurorisë, me organizimin e Shoqatës shqiptaro-britanike të Avokatëve, kryeprokurori Lumezi dhe delegacioni kosovar i drejtësisë, do të marrin pjesë në ligjëratën me temë “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, që do të mbahet në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.

Vizitën e delegacionit nga radhët e sistemit të Drejtësisë e ka mundësuar Zyra e UNDP-së në Kosovë. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.