Ruçi takon kryetarin e Parlamentit të Republikës së Maltës

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/- Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot kryetarin e Parlamentit të Republikës së Maltës, Anglu Farrugia. Gjatë takimit, kryetari Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe dialogun politik në nivelet më të larta midis të dy vendeve. Malta është një vend mik i Shqipërisë dhe mbështetëse e fortë e perspektivës së saj evropiane. Kryetari Ruçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e përhershme miqësore të Maltës në agjendën e integrimit Europian të Shqipërisë dhe sigurimin se kjo mbështetje do të vazhdojë në ndjekje të përpjekjeve dhe hapave tona drejt hapjes së negociatave për anëtarësim.

“Traktati i Miqësisë ndërmjet Maltës dhe Shqipërisë do të jetë një konfirmim i marrëdhënieve tona ekzistuese të shkëlqyera, si dhe një shprehje e qartë e vullnetit tonë të përbashkët për të promovuar dhe për t’i intensifikuar ato në të ardhmen.”, – nënvizoi kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Bashkëpunimi ekonomik është një shtyllë e rëndësishme e marrëdhënieve dypalëshe dhe duhet të përfshihet në prioritetet e bashkëpunimit të ardhshëm midis të të dy vendeve. Ekzistojnë disa marrëveshje të rëndësishme dypalëshe, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e investimeve, marrëveshjen për shmangien e taksimit të dyfishtë, me interes mund të shikohet përgatitja për nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik. Sipërmarrësit maltez janë të mirëpritur në Shqipëri në sektorët e turizmit, energjisë së rinovueshme, pjesëmarrje në zbatimin e projekteve dypalëshe dhe rajonale, përfshirë edhe ato në kuadër të procesit të Berlinit.

Marrëdhëniet kulturore gjithashtu mund të nxiten përmes organizimit institucional të shkëmbimeve në menaxhimin e zonave arkeologjike, trashëgimisë, programeve të përbashkëta në shkëmbimin e të rinjve me një fokus të veçantë në universitete.

Kryetari i Kuvendit Ruçi kërkoi mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë për vendin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-23, në zgjedhjet që do të zhvillohen në vjeshtë 2021 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, dhe për kandidaturën e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së OSBE-së për vitin 2020.

Njëkohësisht, Kryetari Ruçi i kërkoi Kryetarit Farrugia lobimin e Maltës për zgjerimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, nga parlamenteve e vendeve anëtarë të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancëe dhe Paqe, i cili po zhvillon punimet e sesionit të dytë në Tiranë.

Kryetari i Parlamentit të Republikës së Maltës, Anglu Farrugiafalenderoi kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, për pritjen e ngrohtë dhe vuri në dukje se Malta ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e Shqipërisë, sidomos në procesin e integrimit Europian. “Malta, si një vend i besueshëm i BE-së, vazhdon të mbështesë në mënyrë të pakushtëzuar hapjen e negociatave të pranimit në qershor të vitit 2019 dhe do të lobojë për këtë qëllim në të gjitha vendet anëtare të BE-së”, – vuri në dukje Farrugia.

Ai vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe nënvizoi se “Shqipëria, ashtu si e dhe Malta, nuk flasin për tolerancën, por praktikojnë tolerancën”. Kryetari Farrugia shprehu mirëkuptim të plotë për kërkesat e kryetarit Ruçi për mbështetjen e kandidaturës së Shqipërisë në OSBE dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së si edhe u zotua të lobojë fort me të gjitha vendet e BE-së dhe parlamentet anëtare të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe për njohjen e Kosovës nga vendet anëtare./m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.