Projektligji për ekzekutimin e vendimeve penale, risi e Reformës në Drejtësi

TIRANË,15 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Projektligji për ekzekutimin e vendimeve penale vjen në kuadër të Reformës në Drejtësi dhe është një risi për sa i përket ekzekutimeve penale, tha deputeti i PS-së, Ulsi Manja, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste në seancën e sotme të Kuvendit.

Në fjalën e tij, Ulsi Manja shtoi se ligji që do të votohet sot është pjesë e paketës së reformës në drejtësi si pjesë përbërëse e reformimit të drejtësisë penale në vend.

Ky ligj, ka për qëllim të përmirësojë procesin e ekzekutimit të vendimit vullnetar dhe të rrisë rolin e Shërbimit të Provës në ekzekutimin e vendimeve penale.

“Analiza e sistemit të drejtësisë ka analizuar një sërë problematikash për sa i takon vendimeve penale  e që lidhen kryesisht me mënyrën e njoftimit të të dënuarve të cilët gjatë ekzekutimit vullnetar, gjatë fazës së hetimeve apo gjykimit, kanë qenë në gjendje të lirë apo me masë sigurimi arrest shtëpie. Me mbikqyrjen nga Shërbimi i Provës për personat me masë sigurimi me arrest në shtëpi, ekzekutimet e vendimeve kur në rast i dënuari ndryshon adresën e vendbanimit të tij, periudhën e fillimit të vuajtjes së dënimeve alternative si dhe ekzekutimin e vendimeve me masa mjekësore dhe edukuese të dhëna me vendim gjyqësor”, tha Manja.

Më tej, Manja argumenton se me këtë projektligj synohet përmirësimi i kuadrit ligjor ekzistues në lidhje me masat edukuese e mjekësore dhe krijimin e institucioneve të posaçme për ekzekutimin e këtyre masave.

“Garantimi i ekzekutimit të drejtë dhe të njëjtë i vendimeve gjyqësore në respektim të parimit të lirisë dhe sigurisë së personit. Ridimesionimi i rolit të gjykatës dhe prokurorit ne ekzekutimin e vendimeve penale duke synuar rritjen e efektshmërisë së sistemit të ekzekutimit. Krijimi i mekanizmave ligjorë dhe institucionalë, pajisur me burimet materiale dhe njerëzore për trajnimin dhe kualifikimin dhe trajnimin profesional të stafit të institucioneve penale dhe të shërbimit të provës”, tha ai.

Po ashtu ai shton se “Projektligji i është nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi me qëllim garantimin e transparencës dhe gjithë përfshirjes në procesin e vendimmarrjes. Në ketë kuadër projektligji iu është çuar për mendim jo vetëm institucioneve që kanë detyrimin por dhe organizatave ndërkombëtare dhe shoqërive civile”.

“Risitë e variantit integral të miratuar nga komisioni përgjegjës për heshtjet ligjore kanë të lidhura me harmonizimin e këtij projektligji me Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur që janë miratuar tashmë në kuadrin e reformës në Drejtësi. Ky projektligj është një nga nga projektligjet e fundit të paketës së dytë të reformës në Drejtësi që i referohet drejtësisë penale”, theksoi Manja. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.