LONDËR – Jep dorëheqjen edhe ministri i ngarkuar për Brexit

LONDËR, 15 nëntor /ATSH-AFP/ – Ministri britanik i ngarkuar për Brexit, Dominic Raab paraqiti sot dorëheqjen për shkak të kundërshtimit të tij të projektmarrëveshjes për Brexit të arritur nën drejtimin e kryeministres Theresa May me Bashkimin Europian.

”Nuk mund të mbështes marrëveshjen e propozuar për dy arsye që lidhen veçanërisht me statusin e ardhshëm të Irlandës së Veriut pas Brexit”, sqaroi Raab në letrën e dorëheqjes të publikuar në profilin e tij në Twitter.

Edhe sekretari britanik i Shtetit për Irlandën e Veriut, konservatori Shailesh Vara njoftoi sot dorëheqjen për shkak të qëndrimit kundër projektmarrëveshjes për Brexit të arritur nga qeveria britanike me Bashkimin Europian.

Vara vlerëson se ”teksti prej 585 faqesh nuk i përgjigjej vullnetit të britanikëve për largimin nga BE-ja, e shprehur me votë në referendumin e qershorit 2016, duke e lënë Britaninë e Madhe në gjysmë të rrugës, pa një datë përfundimtare për të përcaktuar se kur do të jemi më në fund një komb sovran”./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.