“Lleshaj”, Meta: S’ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Presidenti Meta i pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Europës Juglindore, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pjesëmarrës.

Presidenti Meta u dha përgjigje edhe pyetjeve për politikën e brendshme dhe të politikës rajonale, ku në mes tyre ishin edhe pyetjet për çështjen “Gruevski” dhe për dekretimin e Sandër Lleshajt.

“Unë mendoj se çdo politikan, aq më tepër një politikan me përgjegjësi të madhe në vendin e tij, siç është rasti në fjalë, nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Kam një rastin tim, po ua risjell në kujtesë. Në vitin 1992 në zonën time elektorale u morën peng dy oficerë policie nga protestuesit atje, unë isha në opozitë asokohe. Shkova atje dhe i shpëtova si të thuash nga ajo pengmarrje padashje e njerëzve të painformuar dhe për këtë çështje Prokuroria më hoqi imunitetin dhe donin të më fusnin në burg. Dhe m’u ofrua strehim politik dhe në Greqi, sepse kishim parti aleate në atë kohë, edhe në Itali. Ndonëse isha fare i ri nuk pranova një gjë të tillë. Kështu që politikanët në Ballkan duhet të jenë gati për të gjitha sfidat dhe duhet të qëndrojnë si burra.

Ndërsa për dekretimin e Sandër LLeshajt, Presidenti u shpreh se: “Për dekretin, unë nuk jam përfshirë në asnjë deklaratë të tillë dhe në asnjë polemikë. Unë jam President i Republikës për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë. Këtë e kam bërë dhe e bëj me përkushtim maksimal dhe nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën dhe, sikurse ju e dini, jam shprehur edhe publikisht për të informuar Kuvendin, në rast se Kuvendi kërkon sqarime. Kam takuar edhe Kryetarin e Kuvendit për këtë çështje”, – u shpreh ai.

Presidenti u prononcua edhe për situatën në Kosovë, konkretisht për negociatat me Serbinë, për të cilin u shpreh se e mbështet fuqimisht këtë dialog.

Nuk mund të them diçka më shumë sesa fakti që ne mbështesim fuqimisht këtë dialog dhe shpresojmë sa më shpejt të kemi në marrëveshje, e cila ndihmon të dyja vendet të normalizojnë plotësisht marrëdhëniet. Ndihmon Serbinë të eci më shpejt drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian, por edhe Kosovën të zërë vendin që i takon si në OKB dhe në të gjithë institucionet e tjera dhe mbi të gjitha të ndihmojë serbët dhe shqiptarë si në Kosovë apo edhe në Serbi që të jetojnë shumë më normalisht larg çdo stresi, pasigurie apo qoftë edhe instrumentalizimi”, – u shpreh Presidenti.

/m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.