Bashkëpunim kulturor Kosovë-Mali i Zi

PRISHTINË, 15 nëntor /ATSH/ – Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot në takim ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritete të Republikës së Malit të Zi, Mehmed Zenka, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunim mes dy ministrive.

Ministri Zenka e falenderoi ministrin Gashi për pritjen dhe e njoftoi për aktivitetet dhe punën që ministria që e udhëheq ai në Mal të Zi. Zenka u shpreh se Ministria përkrah minoritetet në Mal të Zi përmes projekteve të shumta, me theks të kulturës e rinisë.

Ai tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me ministrin Gashi për të realizuar projekte të përbashkëta që janë të interesit të dyanshëm në mënyrë që të rritet shkëmbimi i përvojave të mira dhe i profesionistëve të fushave të ndryshme.

Ndërkaq ministri Gashi, u shpreh se MKRS-ja është e gatshme që të bashkëpunojë dhe mbështesë projektet konkrete që janë me interes edhe për politikat e Ministrisë, por edhe që janë në favor qytetarëve të Kosovës por edhe atyre të Malit të Zi. /KosovaPress//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.