Stadiumi i ri “Arena Kombëtare” pritet të përfundojë në mars 2019

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/- Stadiumi i ri “Arena Kombëtare” pritet të përfundojë në mars të vitit 2019.

Kështu deklaroi sot Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen në selinë e re të FSHF-së.

Duka shprehur bindjen se stadiumi i ri do të jetë një vepër madhore që do të prezantojë denjësisht jo vetëm futbollin shqiptar, por edhe Shqipërinë në skenën ndërkombëtare,

Duka tha se “objektivi i stadiumit është që në mars ne të zhvillojmë ndeshje aty. Është një objektiv goxha ambicioz, nuk mund ta them me 100%, por gjithsesi ne do të punojmë me këtë synim që në mars të luajmë”.

Sipas tij, varet edhe nga shorti i Dublinit më 2 dhjetor nëse Shqipëria do të luajë në shtëpi ose jo, por sidoqoftë brenda vitit 2019 patjetër që stadiumi do të inaugurohet, edhe ky kompleks ku ne jemi tani do të inaugurohet brenda vitit 2019.

“Stadiumi është një vepër madhore e futbollit shqiptar, sepse e para plotëson të gjitha kushtet për ata që do të ndjekin futbollin, për 22 mijë spektatorë që do të jenë të pranishëm, për ekipet që do të vijnë aty, për mediat gjithashtu që është shumë e rëndësishme. Pra është një prezantim dinjitoz, jo vetëm i futbollit shqiptar, por i Shqipërisë në përgjithësi”, nënvizoi Duka.

Nuk ekzagjeroj, vijoi ai, nëse them se është vepra më dinjitoze që do të prezantojë Shqipërinë dhe mezi pres që ta inaugurojmë në vitin 2019.

Duka, i shoqëruar nga presidenti i firmës ndërtuese Carapuli dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj është njohur nga stafi teknik mbi ecurinë e punimeve voluminoze që po realizohet në këtë kantier.

Duke folur për mediet, Presidenti i FSHF-së u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e punimeve dhe vlerësoi rëndësinë që ka kjo vepër moderne në pasurimin e infrastrukturës së futbollit shqiptar.

Duka theksoi se “Shtëpia e Futbollit Shqiptar” do të ofrojë të gjitha kushtet e nevojshme bashkëkohore për të gjitha ekipet kombëtare.

Presidenti tha se kompleksi është një vepër madhore e futbollit shqiptar, sepse ofron kushte optimale pune për të gjitha ata që menaxhojnë e administrojnë futbollin, për ekipet kombëtare që janë shumë të rëndësishme dhe për të gjithë infrastrukturën që vihet në shërbimin e tyre. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.