Kisha e Shën Apostujve në Hoshteve, vepër e rrallë arti në thesarin e trashëgimisë

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2018803151491769/

TIRANE, 14 nëntor/ATSH/- Kisha e Shën Apostujve në Hoshtevë, Zagori është një kishë pasbizantine e tipit bazilikal, mbuluar me një sistem harqesh, qemerësh e kësulash sferike dhe ka vlerë të veçantë në trashëgiminë tonë kulturore.

Kjo kishë tashmë është në proces rijetëzimi për t’u shndërruar në një tjetër destinacion interesant për t’u eksploruar në listën e itinerarit ”Rrugët e besimit”.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga puna për restaurimin e Kishës së Shën Apostujve në Hoshteve.

“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga puna restauruese në Kishën e Shën Apostujve në Hoshteve të Zagorisë, një tjetër vepër e rrallë arti e shpëtuar në thesarin e trashëgimisë sonë kombëtare, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Projekti i restaurimit është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon restaurimin e çatisë ekzistuese me rrasa guri, restaurimin e elementëve konstruktivë, instalime të reja elektrike, si dhe ndërhyrje konservuese-restauruese në pikturën murale dhe ikonostasin e drurit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.