Drejtësia tregtare, politikë e re publike në Kosovë

PRISHTINË, 14 nëntor /ATSH/ – Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha ditën e sotme se reformat në drejtësinë komerciale janë fundamentale për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të drejtësisë që ndërlidhet me të bërit biznes.

Ai gjatë një takimi me drejtoreshën e re të Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, tha se kjo siguron sektorin e biznesit për qasje të shpejtë dhe efikase në drejtësi, efektet e së cilës padyshim se do të ndikojnë edhe në rritjen e investimeve të huaja.

Ministri Tahiri tha se drejtësia komerciale është një prioritet themelor që tashmë po merr formë konkrete, në këtë takim ka vlerësuar mbështetjen e deritanishme që USAID-i i ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë dhe ka kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, sidomos në kuadër të Rishikimit Funksional dhe Axhendës “Drejtësia 2020”.

Për më tepër, ministri Tahiri e njoftoi Magnon për procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, në kuadër të së cilës është duke u hartuar një politikë publike që synon  konsolidimin e drejtësisë komerciale.

Gjatë takimit është biseduar edhe për hapat e mëtejshme implementues në kuadër të axhendës “Drejtësia 2020” dhe planet për konsolidimin e sistemit të ndërmjetësimit dhe dixhitalizimit të shërbimeve noteriale që mundësojnë sisteme më të besueshme të raportimit, si dhe qasje më të lehtë në drejtësi. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.