Vendimi i gjykatës italiane për Tahirin, provë se qëndrimi PS ishte i drejtë

TIRANË, 13 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Gjykatat italiane pranuan sa i drejtë ishte qëndrimi i PS-së kur refuzoi arrestimin e Saimir Tahirit”.

Kështu deklaroi sot nga një studio televizive, Kryeministri Edi Rama, ndërsa komentoi edhe reagimin e kësaj mazhorance për çështjen Tahiri.

Duhej të vinte PS në qeveri, tha Rama, që të vendosej një standard që nuk ka qenë kurrë më parë, “të mos përdoret pushteti si mjet për të penguar drejtësinë”.

“Problemet e çdo individi me drejtësinë janë individuale dhe nuk janë probleme të PS-së me drejtësinë. Një parti, organizatë apo familje nuk gjykohet kurrë nga fakti se një individ mund të ketë shkelur në dërrasë të kalbur, por gjykohet nga mënyra si reagon”, – tha Rama.

Kryeministrit theksoi se “për gjithë atë llum që u derdh në ekrane, kanale, portale e foltore për Saimir Tahirin, mbi ato dokumente të gjykatës italiane, atij i duhet kërkuar ndjesë, sepse në fakt rezultuan ashtu siç ishin, një llum”.

“U kërkua të arrestohej një deputet bazuar në atë llum, që erdhi në formë akuze në Parlament. Gjykatat italiane pranuan sa i drejtë ishte qëndrimi i PS-së kur refuzoi arrestimin e Saimir Tahirit”, – tha Rama.

Ai nënvizoi se “drejtësia italiane ka thënë për atë pjesë që u kërkua arrestimi, se ai është nul”.

Rama theksoi po ashtu se “Saimir Tahiri është sot në një proces me drejtësinë shqiptare, e cila do ta çojë deri në fund procesin e pandikuar nga asnjë gjë”. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.