Policia Kufitare Rinas, masa të shtuara për të goditur paligjshmërinë

TIRANË, 13 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Policia Kufitare e Rinasit ka shtuar masat për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia ka bërë të mundur të arrestojë një shtetas, i cili tentoi të korruptojë punonjësen e Policisë Kufitare Rinas, me 50 euro për të kaluar në hapësirën Schengen, po ashtu në drejtim të parandalimit të azilkërkimit, u është refuzuar dalja 88 shtetasve të cilët nuk plotësonin kriteret për të lëvizur në hapësirën Schengen.

Gjatë dy javëve të fundit në Rinas nga Policia Kufitare janë kapur 4 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale për llogari të DVP-ve.

Janë proceduar penalisht 6 shtetas me dokumente të falsifikuara, 12 shtetas të proceduar për kalim të paligjshëm kufiri, 1 shtetas për mosdeklarim të hollash në kufi 1 rast, si dhe janë përpunuar në hyrje dhe dalje 74 759 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 të Kodit Penal, shtetasi: J. R.,18 vjeç, lindur në Burrel.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë për arsye se shtetasi J. R., pasi i është refuzuar dalja nga Republika e Shqipërisë nga punonjësit e PKK Rinas, ka shkuar sërish të sportelet e daljes dhe ka tentuar të korruptojë punonjësen e Policisë Kufitare të planizuar me shërbim në këto sportele, me një shumë prej 50 euro, me qëllim që punonjësja e policisë ta lejonte shtetasin J.R. të kalonte kufirin në drejtim të shtetit të Belgjikës, siç edhe kishte prerë biletën e udhëtimit, në kundërshtim me rregullat për udhëtimin në hapësirën Schengen.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.