Muzeologët shqiptarë certifikohen mbi teknikat e ReOrg

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ – Muzeu Historik Kombëtar dhe ICOM Shqipëria, organizuan sot paraqitjen e rezultateve të trajnimit Re Org Albania dhe ndanë certifikatat për pjesëmarrësit.

Projekti, i cili u zhvillua në datat 5-13 Nëntor 2018 në fondet MHK, u mundësua nga një bashkëpunim i disa institucioneve si ICOM, ICOM SEE, Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Muzeut Historik Kombëtar, ICOM Shqipërisë dhe ICCROM. dev

Për herë të parë, një trajnim mbi menaxhimin e koleksioneve muzeale, sipas metodologjisë Re-Org të hartuar nga institucione lider në këtë fushë si ICCROM dhe UNESCO u zhvillua në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar mundësoi hapjen e fondeve muzeale për këtë trajnim, në të cilin morën pjesë 20 muzeologë nga 12 muze kombëtarë nën Ministrinë e Kulturës, punonjës të koleksioneve arkeologjike dhe etnografike nën Ministrinë e Arsimit dhe punonjës nga Ministria e Financave. Trajnimi interaktiv synoi rritjen e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të koleksioneve për muzeologët shqiptarë dhe në fonde të riorganizuara për MHK.

Të pranishëm për të folur mbi projektin ishin palët organizuese të projektit të përfaqësuara nga Ledion Lako, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Dr.Dorian Koçi, drejtor i MHK, Sabina Veseli, kryetare e ICOM Shqipëria dhe  Veljko Dzikic nga ICCROM.

Lako u shpreh në fjalën e tij optimist për këtë trajnim dhe tha se: “Ministria e Kulturës do të vazhdojë të mbështesë çdo bashkëpunim të brendshëm dhe te jashtëm që rrit kapacitet e institucioneve tona dhe i bën ato të denja për të qenë pjesë aktive e rrjeteve rajonale dhe më gjerë.”

Dr.Dorian Koçi shprehu kënaqësinë që Muzeu Historik Kombëtar hapi fondet e tij për këtë projekt, duke i dhënë mundësinë studiuesve të huaj dhe vendas të rrisin kapacitet e fondeve në muzete e tyre respektive.

Në fund u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave të lëshuara nga ICCROM për pjesëmarrësit./m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.