“Lleshaj”, Rama: Kam besim se Presidenti do të arrijë në konkluzionin e duhur

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2098829527094673/

TIRANË, 13 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Ne i kemi dhënë Presidentit mundësinë që të zgjedhë atë që ai arsyeton, por të dyja rastet të çojnë te dekretimi i Ministrit të Brendshëm”.

Kështu deklaroi sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisioni “Repolitix”, në “REPORT TV”, përballë një paneli gazetarësh.

Duke folur mbi çështjen e dekretimit të Sandër Lleshajt në postin e Ministrit të Brendshëm, Kryeministri Rama shprehu bindjen se “Presidenti do të marrë vendimin që i takon për ta dekretuar Ministrin e Brendshëm”.

“Së pari, të sqarojmë se çfarë kam unë parasysh me shah, sepse duket sikur shpeshherë ngatërrohet. Është thjesht eksperienca që më thotë se asnjëherë mos thuaj fjalën e fundit të parën, apo mos bëj lëvizjen e fundit të parën”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “ky është një proces ku ka një ndërveprim dhe unë kam besim se Presidenti do të arrijë në konkluzionin e duhur”.

Lidhur me dekretimin e Lleshajt, Rama tha se “në fakt Presidenti bëri një pyetje të ndarë në 14 nënpyetje”.

“Është një pyetje që lidhet me statusin e Sandër Lleshit e fragmentuar në 14 nënpyetje. Çështja është e zgjidhur në këndvështrimin tim, sepse përsa na takon ne statusi i Sandër Lleshit nuk është aktiv. Por përderisa Presidenti i ngre këto 14 nënpyetje, atij i është dhënë mundësia që në rast se vlerëson se opinioni ynë nuk përputhet me opinionin e tij dhe nëse mendon se Sandër Lleshi është aktiv, ka në dispozicion tërheqjen e plotë të Sandër Lleshit nga çdo lloj kornize aktiviteti ushtarak”, – tha Rama.

Kryeministri sqaroi se në takimin prej 90 minutash që ka pasur me Presidentin nuk është ngritur kjo çështje.

“Ose duke lexuar do të pajtohet dhe do ta dekretojë, ose do të ushtrojë si President kompetencën e tij për ta çdekretuar Sandër Lleshin dhe ta dekretojë Ministër të Brendshëm”, – tha Rama.

Po ashtu, duke iu përgjigjur analistëve të pranishëm në studio, të cilët e cilësuan shkelje të Kushtetutës emërimin e Lleshit si Ministër i Brendshëm, Rama tha se “unë nuk kam shkelur asnjë Kushtetutë dhe nuk kam pasur si ta shkel, edhe sikur të ishte Sandër Lleshi sot gjeneral i FA-së”.

“Sot unë mund ta propozoja dhe sigurisht që Presidenti, si personi që ka fuqinë e dekretimit dhe çdekretimit të gjeneralëve do ta çdekretonte si gjeneral dhe do ta emëronte si Ministër”, tha Rama, ndërsa sqaroi se Sandër Lleshi nuk ishte gjeneral aktiv.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.