FOTO/ Kumbaro realizon dëshirën e nxënëses për libra në shkollën “Urani Rumbo”

TIRANË,13 nëntor /ATSH/ – Tepelena dhe Gjirokastra ishin ndalesa e fundjavës e Lëvizjes Kombëtare për Lexim, e cila po udhëton në çdo cep të Shqipërisë për të afruar të rinjtë me librin.

“Kërkesa e Vesës së vogël për të pajisur me libra shkollën “Urani Rumbo” e plotësoi Lëvizja Kombëtare për Lexim, në bibliotekën e Gjirokastrës ku u takuam për shumë libra, me Bledi Çuçin dhe gjirokastritët e vegjël”.

Bibliotekat publike dhe ato të shkollave marrin një rëndësi të madhe veçanërisht në qytetet periferike, ku edhe mundësitë financiare të prindërve për të blerë libra janë më të zbehta.

Ministria e Kulturës synon që përtej sensibilizimit për rëndësinë e leximit e të kulturimit, sidomos tek fëmijët, të ndërhyjë dhe rregullojë në nivel ligjor e institucional politikat e Librit dhe kushtet për përhapjen e Librit si vlerë.

Në këtë kornizë është hedhur në diskutim publik Ligji i ri për Librin, i cili parashikon ngritjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit; lehtësime fiskale për librin në formë tradicionale dhe elektronike dhe mekanizma lehtësues për bibliotekat në të gjithë vendin. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.