Kosovë-Gjermani, bashkëpunim juridik ndërkombëtar

PRISHTINË, 12 nëntor /ATSH/ – Një grup i prokurorëve të Shtetit që merren me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar dhe zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, morën pjesë në vizitë studimore në Gjermani, në kuadër të projektit IPA 2017, “Luftimi i krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor”, të financuar nga BE dhe të implementuar nga GIZ.

Delegacioni i prokurorëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, DBJN, fillimisht u pritën nga Enti Federal i Drejtësisë në Bon, pastaj janë pritur nga prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme në Celle, për të vazhduar në Ministrinë e Drejtësisë së Saksonisë së Ulët në Hannover.

Temë qendrore e të gjitha takimeve ishte bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet penale, me fokus bashkëpunimin në mes vendeve tona, si të  përmirësohen ato në të ardhmen, si dhe shkëmbimi i përvojave në mes delegacionit të prokurorëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, DBJN, me përfaqësuesit e këtyre institucioneve.

Gjithashtu, delegacioni u njoftua me punën  e prokurorëve gjerman që kanë të bëjnë me konfiskimin e pasurive të fituara me vepër penale, luftimin e terrorizmit dhe tema tjera.

Delegacioni i prokurorëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, DBJN, zhvilluan një  vizitë në Ministrinë Federale të Drejtësisë në Berlin, ku u pritën nga zyrtarë të shumtë në mes tyre edhe nga zëvendësministri federal i drejtësisë, prokurori Ralf Riegel. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.