Investimi i NATO-s në Kuçovë, frymëmarrje zhvillimit ekonomik dhe social të zonës

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/- Investimi i NATO-s në bazën e Kuçovës krahas rritjes së sigurisë të vendit tonë do të sjellë me vete përfitime të shumëfishta, duke krijuar mundësi të reja dhe më shumë frymëmarrje zhvillimit ekonomik dhe social të gjithë zonës.

Kështu deklaroi sot nga Kuçova ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë prezantimit të Buxhetit të Mbrojtjes, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

“Vendimi i marrë nga NATO për të investuar dhe modernizuar këtë bazë është një lajm shumë, por shumë i mirë për të gjithë. Është një lajm shumë i mirë për vetë punonjësit e bazës, për forcën ajrore, për zonën e Kuçovës, për Urën Vajgurore, Beratin, ndoshta dhe më gjerë”, nënvizoi Xhaçka.

Sipas saj, është gjithashtu një lajm shumë i mirë në veçanti për vendin tonë, por është një lajm shumë i mirë edhe për të gjithë rajonin.

“Baza e Kuçovës, me një histori dhjetëravjeçare që i ka shërbyer si bazë e rëndësishme e aviacionit civil shqiptar ku breza të tërë aviatorësh, teknikësh e specialistësh kanë dhënë më të mirën e tyre mes shumë sakrificash për ta mbajtur atë në gatishmëri të plotë operacionale”, – theksoi Xhaçka.

Por, vijoi ajo, koha kaloi dhe fluturimi i fundit këtu daton në tetor të 2005 ku motorët e avionëve që shohim sot këtu u fikën dhe mbi qiellin e Kuçovës ra qetësia.

“Për të gjithë ata që kanë shërbyer në këtë bazë dikur por edhe për pilotët e Forcës sonë Ajrore sikurse për ushtarakët e Forcës së Armatosur investimi i NATO-s në Kuçovë ishte një lajm i jashtëzakonshëm që u shoqërua me shumë emocione”, – tha ministrja duke shtuar se baza ajrore e Kuçovës është e vetmja bazë e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Ministrja tha se “kjo bazë do të sjellë një rivitalizim të ekonomisë lokale nëpërmjet përmirësimeve të infrastrukturës, punësimeve dhe biznesit të shërbimeve, por jo vetëm”.

“Ky është një investim i atyre përmasave dhe një mundësi për të cilin ne duhet të jemi shumë krenarë që në 9 vite të pranisë tonë në Aleancë arritëm ta kemi në vendin tonë. Përmes vendosjes së bazës së NATO-s në vendin tonë aleanca ka nënvizuar lidershipin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon për mbrojtjen e sigurinë”, – shtoi ajo.

Ministrja u shpreh se “vendi ynë ka hyrë në një fazë tjetër marrëdhëniesh me aleancën ka hyrë në një fazë maturie si anëtar serioz, i përgjegjshëm dhe i besueshëm me kontribute të qenësishme dhe të vlerësuara nga Aleanca”.

“Pikërisht kjo fazë e re marrëdhëniesh që dikton më shumë seriozitet, jo vetëm për të përmbushur objektivat tona kombëtare, por edhe detyrimet dhe angazhimet që kemi ndaj Aleancës”, – tha Xhaçka. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.