Ahmetaj: Ekonomia është forcuar, eksportet janë rritur 15,4 %

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/- Buxheti 2019 do të mbështesë konsolidimin e reformave të ndërmarra që promovojnë dhe konsolidojnë rritjen ekonomike dhe punësimin në vendin tonë.

Kështu u shpreh sot ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në komisionin e Ekonomisë gjatë diskutimit të të ardhurave të projektbuxhetit 2019, ku ndër të tjera theksoi se, “politika fiskale do të vijojë të orientohet drejt konsolidimit fiskal, për të ndikuar në uljen e borxhit publik”.

Ahmetaj shpjegoj se në hartimin e projektbuxhetit 2019, janë marrë në konsideratë masa që amortizojnë efektet e riskut nga zhvillimet e mundshme të mjedisit të jashtëm ekonomiko-financiare, me qëllim reduktimin e efekteve në “xhepat e qytetarëve”.

“Lëvizja e kurseve të këmbimit i referohet përmirësimit të fondamenteve ekonomike të Shqipërisë. Ndërsa janë rritur eksportet me 15,4% në këtë nëntëmujor dhe së treti, është turizmi, pra eksporti i shërbimeve është rritur konsiderueshëm po me dy shifra”, tha Ahmetaj, ndërsa nënvizoi se, “kjo në njëfarë mënyre ndikon që Shqipëria të influencojë në tregjet e huaja. Unë i referohem një rritje të ritmit  të rritjes ekonomike me 6,7 % , që do të thotë që në çdo lloj përllogaritje është një rritje normale në çdo parashikim të GDP-së”. e.xh/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.