Qeveria miraton procedurat për emërimin e kreut të INSTAT-it

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/- Këshilli i Ministrave ka miratuar procedurat, kriteret e vlerësimit si dhe afatet e njoftimit për përzgjedhjen e kandidaturave për t’u emëruar në krye të Institutit të Statistikave.

Referuar vendimit, përzgjedhja e kandidaturave për Drejtorinë e Përgjithshëm të INSTAT, do të kryhet përmes zbatimit të procedurave të hapura dhe publike të konkurrimit. Për kryerjen e procedurës së përzgjedhjes, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ngre komisionin ad-hoc, “Komisioni i Posaçëm i Vlerësimit të Kandidaturave (KPVK)”, i cili përbëhet nga tre anëtarë: përfaqësues nga Kryeministria, i cili është edhe kryetar i KPVK-së; përfaqësues nga Banka e Shqipërisë dhe përfaqësues nga personeli akademik i Fakultetit të Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës.

Vendimi përcakton se, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave duhet të shpallë vendin e lirë për këtë pozicion jo më vonë se 6 muaj nga data e përfundimit të mandatit të tij në detyrë në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në faqet zyrtare elektronike të Kryeministrisë dhe INSTAT-t, deri në përfundimin e afatit të dorëzimit të dokumenteve nga aplikantët.

KPVK-ja do të bëjë vlerësimin e kandidaturave të paraqitura brenda 35 ditësh, nga data e mbylljes së aplikimeve.

Këshilli i Ministrave, pas shqyrtimit të listës së kandidatëve të kualifikuar, i propozon Kuvendit jo më pak se 3 kandidatura që plotësojnë kriteret e mësipërme. Në rast se asnjë nga kandidaturat e propozuara nuk miratohen nga Kuvendi, procedura për përzgjedhjen e kandidaturave fillon nga e para, sipas rregullave të këtij vendimi. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.