Punësohet kryefamiljari nga Gramshi, që merrte ndihmë ekonomike

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/- Vulllnet Kasmi nga fshati Bratilë i Gramshit u punësua në një kompani private të sigurisë fizike, pasi familja e tij me 8 anëtarë jetonte me ndihmë ekonomike.

Bashkëshortja e Kasmit iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al” për të kërkuar punë për kryefamiljarin.

Shërbimi Kombëtar i Punës brenda një kohe të shkurtër shqyrtoi të gjitha alternativat e punësimit me kompani private dhe sot Kasmi është punësuar në një kompani private të sigurisë fizike në Gramsh.

Në takimin e zhvilluar sot me koordinatorët e bashkëqeverisjes, në Kryeministri, Kasmi falënderoi për mundësinë që iu dha atij për të punuar.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij theksoi se “rasti është kuptimplotë, pasi familja ishte në kushte realisht të vështira. Vullneti ishte i gatshëm të punonte, por nuk kishte gjetur një mundësi. Duke iu drejtuar platformës e shoqja, koordinatorja mori përgjegjësinë të ndihmojë dhe nëpërmjet instrumenteve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe mbulon edhe sektorin e punësimit u arrit që Vullneti të punësohet dhe të çojë një rrogë në familje”.

“E sollëm këtë rast për t’u thënë të gjithëve nëse duan punë, jo rrogë në shtet, të mos hezitojnë t’i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes, e cila përmes koordinatorëve dhe me mbështetjen e ministrit të Financave dhe Ekonomisë të vihet në lëvizje për të ofruar mundësitë e punës që janë aktualisht në zyrat e punës, por që janë edhe përtej zyrave të punës, me kompani të ndryshme private”, – tha Rama./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.