Promovohen shërbime për zhvillimin e sipërmarrjeve rurale

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/- Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me programin RISI Albania në një takim me grupet e interesit, prezantuan shërbimet e  biznesit, për thirrjen e shpallur nga projekti “Shërbime për zhvillimin e biznesit për sipërmarrësit ruralë”.

Edhe Grigor Gjeçi, Drejtor i IPARD në Ministri theksoi gjatë fjalës së tij se përgatitja për dosjen e aplikimit dhe hartimi i planit të biznesit është një pikë e dobët që shpesh ka penalizuar sipërmarrësit ruralë gjatë procesit të aplikimit për fondet IPARD dhe skema të tjera kombëtare.

Kjo thirrje synon “të nxisë ofruesit e shërbimeve të biznesit të punojnë me klientët në zonat rurale në një mënyrë të qëndrueshme dhe fitimprurëse, duke u mundësuar sipërmarrësve ruralë të bëjnë investime, të rrisin biznesin e tyre e për rrjedhojë të krijojnë vende të reja pune”, shpjegoi Stephan Joss, drejtori i projektit RISI Albania gjatë fjalës përshëndetëse. IPARD është një mundësi e mirë për ofruesit e shërbimeve ndaj biznesit për të krijuar bashkëpunim dhe për të testuar modele tregtare me sipërmarrësit ruralë.

“Ne synojmë të vendosim bazat e para për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjatë biznesi ndërmjet ofruesve të këtyre shërbimeve dhe sipërmarrësve ruralë me potencial zhvillimi, por që aktualisht nuk aksesojnë dot fondet si IPARD, apo të rrisin biznesin e tyre përmes këshillave të qënësishme. Thirrja jonë nxit ofruesit e shërbimeve të biznesit të shikojnë sipërmarrësit ruralë si klientë potencialë, duke gjeneruar përfitime për të dy aktorët”, tha Edlira Muhedini, menaxhere e projektit.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet financiare, firmat e mëdha dhe të vogla të konsulencës dhe ekspertë të pavarur, të cilët pyeten rreth thirrjes dhe mbështetjes që ofron projekti. Roland Cela nga GIZ, i pranishëm në takim prezantoi iniciativat që mbështet GIZ në mbështetje të thithjes së fondeve rurale.

Me mbështetjen e RISI-së ofruesit e shërbimeve të biznesit të interesuar do të jenë në gjendje të hartojnë dhe të shpalosin modele inovative dhe produkte për sipërmarrësit ruralë me përfitime për të dy palët. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.