Nuk ka rritje të çmimit të energjisë elektrike vitin e ardhshëm

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ – Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri tha se çmimi i energjisë elektrike nuk do të ndryshojë gjatë vitit 2019.

Këtë deklarate ministri e bëri gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2019, në Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

“Ne kemi parashikuar një mbështetje prej 3 miliardë lekë për rast krize energjetike”.

“Ky portofol për energjinë do të bëjë të mundur që Shqipëria të ketë furnizim normal me energji dhe të mbajë çmimin nën kontroll. Shqipëria ka çmimin më të lirë në Europë, përveç Kosovës”, – tha Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri shpjegoi se ky stabilitet vjen pasi qeveria e mbështet këtë sektor strategjik. “Kaskada e Drinit, e ndërtuar në kohën e regjimit komunist, plotëson vetëm 55% të nevojave, maksimumi 60%. Pjesa tjetër i nënshtrohet importit dhe çmimeve të tregut”, – tha ai.

Me pas, ministri Damian Gjiknuri prezantoi disa projekte për prodhimin e energjisë alternative, në Shqipëri.

“Ne shumë shpejt do të shpallim edhe rezultatet e ankandit që zhvilluam në Akërni të Vlorës, ku do të kemi mundësi të ngremë një impiant me 100 megavat të prodhimit të energjisë diellore, dhe çmimi i kësaj energjie do të jetë jashtëzakonisht konkurrues”, – tha Gjiknuri.

“Kur ky impiant të vihet në punë ne do të kemi mundësi t’i shtojmë kapacitetet e energjisë diellore, në mënyrë që Shqipëria të diversifikojë burimet e energjisë”, – theksoi ministri.

“Ne shumë shpejt do të shpallim garën për dhënien me koncesion të termocentralit të Vlorës për konvertimin e këtij impianti dhe ndërtimin e një gazsjellësi nga pika e daljes në Fier, në drejtim të Vlorës”, – tha ai. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.