Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën, miratohen detyrat

TIRANË,7 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Këshilli i Ministrave vendosi  sot për ngritjen, funksionimin dhe detyrat e Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën.

Në mbështetje Kushtetutës “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave, vendosi ngritjen e Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën për kryerjen e përditësimit, përshtatjen dhe zbatimin e klasifikimeve zyrtare ekonomike e sociale, në përputhje me nomenklaturat europiane dhe ndërkombëtare.

Po ashtu, Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën do përbëhet nga disa institucione shtetërore.

Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën kryesohet nga drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it dhe në përbërje ka përfaqësues nga: Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme; Ministria e Brendshme; Ministria e Financave dhe Ekonomisë; Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë; Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes; Banka e Shqipërisë; Shërbimi Kombëtar i Punësimit; Drejtoria e Përgjithshme e Doganave; Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; Instituti i Sigurimeve Shoqërore; Qendra Kombëtare e Biznesit; INSTAT-i.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave, thuhet se përfaqësuesit e institucioneve, anëtarë të Komisionit, caktohen nga titullarët e institucioneve, sipas kritereve e kërkesave të paraqitura nga Instituti i Statistikave, dhe brenda 10 (dhjetë) ditëve njoftojnë INSTAT-in.

Për përgatitjen e mbledhjeve dhe koordinimin e çështjeve të Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën krijohet sekretariati i Komisionit, i cili përbëhet nga specialistë të Institutit të Statistikave. Rregullat për funksionimin e sekretariatit përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën.

Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën mblidhet me thirrjen e kryetarit. Mbledhjet e Komisionit zhvillohen sipas rregullave të përcaktuara në ligjin “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.

Masa e shpërblimit të anëtarëve të Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën, për çdo mbledhje, është sipas përcaktimit të bërë në vendimin nr. 656, datë 31.10.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore”.

Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën mund të ngrejë grupe pune, sipas fushave dhe nevojave të tij, me përbërje nga të gjitha institucionet e përfshira në Komision ose një pjesë të tyre. Rregullat për funksionimin e këtyre grupeve dhe për shkallën e tyre të përgjegjësisë përcaktohen me vendim të veçantë të këtij Komisioni.

Nomenklaturat e miratuara paraprakisht nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën miratohen me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen, funksionimin dhe detyrat e Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën”, të ndryshuar, shfuqizohet. Ngarkohen Instituti i Statistikave dhe institucionet e përmendura, për zbatimin e këtij vendimi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.