Investimet në infrastrukturën portuale, terminal për kroçerat në Durrës

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ – Qeveria ka akorduar fonde në buxhetin e vitit 2019, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për investime në portet detare.

Ministri Damian Gjiknuri tha në Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, se këtë vit do të vazhdojnë investimet në portin e Vlorës në terminalin e ri.

Ministri Gjiknuri shpjegoi se do të investohet edhe në portin e Durrësit, edhe pse ky port është në përdorim nga një koncesionar privat. “Në portin e Durrësit ne kemi hapur garën për thellimin e portit për të bërë të mundur hyrjen e anijeve me kapacitet të madh, pasi porti i Durrësit rrezikon të bllokohet, ka nevojë për gërmim, thellim të kanalit e rritjen e thellësisë mbi 12 metra”. “Fondet janë gati, gara do çelet këtë vit”. “Pra në krye të 6 muajve porti i Durrësit do të jetë gati për të pritur anije të mëdha”.

Një tjetër investim që pritet të bëhet gjatë viti 2019 në infrastrukturën portuale, është dhe terminali i kroçerave në Durrës.

“Ministri Gjiknuri tha se “po shikojmë mundësinë përmes një investimi privat, për të ndërtuar një terminal për kroçerat në Durrës. Është rritur interesi për ardhjen e kroçerave”, – tha ai. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.