Buxheti 2019, vijon financimi i Check up-it falas

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/-Programi buxhetor i shëndetësisë do të vijojë të mbështesë  programin e parandalimit përmes kontrollit mjekësor bazë në moshat 35-70 vjeç.

Shifrat u bënë të ditura nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë prezantimit të pr/buxhetit për 2019. Sipas saj, kontrollin bazë e kanë kryer 360 mijë qytetarë.

“Jemi aktualisht për 2018 me rezultate shumë të rëndësishme të kontrollit bazë ku janë rreth 93% e qytetarëve, pra e 475 mijë është targeti i kontrollit mjekësor bazë dhe tashmë jemi në shifrat 360 mijë qytetarë të moshën 35-70 vjeç kanë këtë kontroll. Ky është një program që ndikon drejtpërdrejtë në kujdesin shëndetësor të secilit, pasi e para financohet çdo vit dhe është falas për qytetarët dhe mbi të gjitha jep indikacione të rëndësishme për gjendjen shëndetësore të qytetarëve, pasi nga analizat e këtij kontrolli rreth 20% e qytetarëve që kanë kryer këtë kontroll rezultojnë me një risk të lartë të problematikave sa i përket sëmundjeve kronike, 34% me risk të moderuar”, – u shpreh Manastirliu.

Sipas ministres kjo do të thotë se në momentin që qytetarët vlerësohen që kanë këto risqe për shëndetin e tyre, menjëhere funksionon rrjeti apo shërbimi i integruar i mjekut të familjes, mjekut specialist, që parandalojnë sëmundjet kronike dhe shmangin invaliditetin.

Manastirliu e ka konsideruar programin e kontrollit bazë si një instrument më shumë në dorën e mjekut të familjes për të vlerësuar riskun, sa i përket shëndetit të popullatës.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.