Akset rrugorë që përfundojnë brenda vitit 2019

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ – Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, tha në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, se buxheti i vitit 2019,  parashikon të përfundojë të gjitha rrugët kombëtare të vendit, të lëna përgjysëm.

“Do të përfundojë rruga Kukës-Morinë, kjo ka qenë një vepër e papërfunduar. Do ndërtohet nyja e Milotit, dhe të gjitha rrugët lidhëse afër Milotit aty ku fillon Rruga e Kombit”, – tha ministri Gjiknuri.

“Do ndërtohet një pjesë e “Unazës së Madhe” të Tiranës, nga “Pallati me Shigjeta” te rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”.

Ministri i Infrastrukturës bëri me dije se “në fillim të vitit 2019 do të përfundojë edhe rruga Tiranë-Elbasan”.

“Brenda vitit 2019 do të ndërtohet Bypass-i i Fierit dhe i Vlorës”. “Në bypass-in e Fierit fillon puna sot, ndërsa në bypass-in e Vlorës puna do të fillojë shumë shpejt”. Ministri theksoi, se dje janë firmosur kontratat me firmat kontraktore që do të ndërtojnë këto bypass-e”.

Gjiknuri tha se “brenda vitit të ardhshëm do të përfundojë edhe rruga Kardhiq-Delvinë”.

Në fund, Damian Gjiknuri zbuloi se këtë vit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka një buxhet të shtuar edhe për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Shqiptarët janë dëshmitarë që ne kemi nisur një program intensiv për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare. Në të gjitha rrugët kombëtare janë kryer ndërhyrje, dhe do vazhdojmë t’i mirëmbajmë ato”, – theksoi Gjiknuri. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.