60% e të punësuarve nuk paguajnë taksa

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/- Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës u prezantuan të mërkurën projektligjet “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, “Për Sistemin e Taksave Vendore”, dhe “Për Taksat Kombëtare”, pjesë të Paketës Fiskale 2019.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, duke u ndalur në pr.ligjin për tatimin mbi të ardhurat, tha se, “Ndryshimet parashikojnë uljen nga 15% në 8% të dividendit, përjashtimin e fermerëve nga tatim fitimi, kur punojnë në shoqëri të bashkimit bujqësor, ulja e TVSH-së në 5% për agroturizmin, njohja e e TVSH-së së rimbursueshme edhe për fermerët e vegjël”.

Këto ndryshime, u shpreh Ahmetaj, synojnë lehtësimin e barrës fiskale për biznesin e qytetarët, nxisin incentivat për sipërmarrje dhe do të zgjerojnë burimet e të ardhurave në buxhet.

Gjithashtu tha ai, parashikojmë edhe kufizime për shpenzimet e zbritshme për dieta.

Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti, relatore e këtyre pr.ligjeve theksoi se ndryshimet lehtësojnë ngarkesën fiskale, por ajo propozoi mbrojtjen e pagave të ulëta, përmes rritjes së pragut për pagat e patatueshme, (për ata që kanë një rrogë 30-40 mijë lekë), zerim të tatimit për dividendin e riinvestuar dhe tatimi për lojërat e fatit të bëhet 30%.

Ministri Ahmetaj, në përgjigje të këtyre propozimeve theksoi se, “sistemi i taksimit në vendin tonë, është taksim progresiv dhe 60% e të punësuarve në publik dhe privat nuk paguajnë taksa”. “Ndryshimi që propozohet na prish sistemin e ngritur për taksimin e pagave”, – tha ai.

Në lidhje me zerimin e tatimit të dividendit të riinvestuar, Ahmetaj theksoi se, ulja e dividendit që propozojmë nga 15% në 8% ndjek trendin e vendeve të tjera.

“Ndërsa për lojërat e fatit duhet të bëjmë një diskutim më të gjerë dhe duhet të shikojmë ngarkesën që ka sektori, duke e krahasuar edhe me rajonin“, – deklaroi ai.
Për këto propozime, të ardhurat në buxhet preken me 1.3 miliardë lekë.  /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.