Task Forca Antikorrupsion, 361 masa disiplinore dhe 80 zyrtarë të larguar

TIRANË, 6 nëntor/ATSH-Maela Marini/ – “36 zyrtarë janë kallëzuar vetëm këtë muaj në prokurori për abuzime me detyrën apo shkelje që konsiderohen në kufijtë e veprave penale”.

Kështu deklaroi sot në mbrëmje, e ftuar në një studio televizive, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Në cilësinë e Koordinatores Kombëtare Antikorrupsion, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se ka një qasje parandaluese dhe një qasje represive, që shkojnë të dyja bashkë në luftën kundër korrupsionit.

Task Forca Antikorrupsion, sipas saj, është një Task Forcë ndërinstitucionale e cila nga maji deri më sot ka kryer 51 inspektime.

“Deri më sot janë rekomanduar rreth 361 masa disiplinore, 80 janë largime nga detyra dhe këtu bëhet fjalë jo vetëm për specialistë e përgjegjës të nivelit të ulët, por edhe për  drejtorë, inspektorë e kryeinspektorë që janë gjetur në shkelje apo praktika abuzive”, – tha Gjonaj.

Ndërkohë sipas saj, 42% e ankesave në platformën e bashkëqeverisjes, i përkasin çështjeve që kanë të bëjnë me pronat.

Deri tani përveç rasteve të shumta që kanë marrë zgjidhje, sipas Gjonaj, janë dhënë edhe 310 masa disiplinore deri në largim nga puna, për zyrtarët që janë bërë pengesë në marrjen e shërbimit nga qytetarët./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.