TIRANË, 6 nëntor /ATSH/- Tri janë masat që mbështet programi IPARD.
Grigor Gjeçi, drejtor i Politikave Zhvillimore në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, tha në një intervistë për ATSH-në, se masa e parë mbështet investimet në fermë në sektorin e prodhimit të qumështit, mishit, fruta-perimeve dhe vreshtarisë.
Masa e dytë mbështet përpunimin e produkteve bujqësore, në sektorin e qumështit, mishit, fruta-perimeve dhe të verës. Ndërsa masa e tretë mbështet investimet në diversifikimin e ekonomisë rurale.
Gjeçi shpjegoi për ATSH-në, se në masën e parë, aplikojnë fermerët, shoqatat apo kooperativat që janë të regjistruara në qendrën Kombëtare të Biznesit.
Në masën e dytë, aplikojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa në masën e tretë, që është për diversifikimin e ekonomisë, aplikojnë fermerët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
IPARD-i është programi më i madh që investohet në zonat rurale për mbështetjen e fermerëve dhe bizneseve që operojnë në sektorin e bujqësisë. e.xh/j.p/
