TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8331, dt. 21.4.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, i ndryshuar.
Të pranishëm në seancë ishin përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe nga misioni ndërkombëtar EURALIUS.
Relatori i projektligjit, Adnor Shameti, e cilësoi të rëndësishme faktin që drafti adreson problematikat aktuale dhe i harmonizon me ndryshimet e vitit 2017 në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin e Drejtësisë Penale për të mitur.
“Procesi i konsultimit dhe nevoja për ta harmonizuar draftin e depozituar, me kodet e sipërcituara, sollën nevojën e propozimit të një numri të konsiderueshëm të dispozitave të reja, në krahasim me propozimet e parashikuara në variantin e depozituar origjinal. Varianti i projektligjit që po paraqitet sot për shqyrtim është një variant i integruar ndërmjet variantit të propozuesit dhe amendamenteve të relatorit, që kanë lindur të nevojshme gjatë procesit të konsultimit”, u shpreh Shameti lidhur me projektligjin.
Në shqyrtimin nen për nen, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe EURALIUS-it dhanë qëndrimet përkatëse lidhur me ndryshimet e propozuara. Në përfundim të diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin me shumicë votash.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme u miratua edhe projektligji “Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit që ndryshon Memorandumin e Mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë së Bashkimit Evropian”.
Në komision ishte e pranishme Alma Emini, përfaqësuese e Ministrisë së Brendshme, që relatoi shkurtimisht për komisionin përmbajtjen e projektligjit.
Relatorja e komisionit, Elena Xhina dha dakordësinë e saj me ndryshimet e paraqitura. Në përfundim të diskutimeve, komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin. /m.m/j.p/