Dialogu Kosovë-Serbi, Kurz kërkon mbështetjen e qytetarëve të Kosovës

Dialogu Kosovë-Serbi, Kurz kërkon mbështetjen e qytetarëve të Kosovës

Dialogu Kosovë-Serbi, Kurz kërkon mbështetjen e qytetarëve të KosovësKancelari i Austrisë, Sebastian Kurz kërkoi nga qytetarët e Kosovës që të mbështesin dialogun Kosovë-Serbi, pasi sipas tij, ai është baza për perspektivën europiane të popullit të Kosovës.https://ata.gov.al/2018/11/06/dialogu-kosove-serbi-kurz-kerkon-mbeshtetjen-e-qytetareve-te-kosoves/

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E martë, 6 Nëntor 2018

PRISHTINË, 6 nëntor /ATSH/ – Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz kërkoi nga qytetarët e Kosovës që të mbështesin dialogun Kosovë-Serbi, pasi sipas tij, ai është baza për perspektivën europiane të popullit të Kosovës.

Pas takimit që mbajti me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Kancelari austriak tha se kanë synim të mbështesin shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt perspektivës europiane.

Kancelari austriak theksoi edhe një herë mbështetjen e Austrisë për Kosovën, që siç tha ai janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj përmes KFOR-it, si dhe ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë përmes prezencës së Agjencisë Austriake për Zhvillim.

Por ai pati edhe një kërkesë për qytetarët e Kosovës, për të cilat tha se duhet të mbështesin bisedimet Prishtinë-Beograd, meqë në këtë mënyrë mund të shkojnë drejt perspektivës europiane.

“Siç e dini, ne e kemi presidencën e Bashkimit Europian dhe njëra ndër synimet tona kryesore është që të mbështesim shtetet e Ballkanit Perëndimor, perspektivën tuaj europiane në këtë regjion. Prandaj do doja që të kërkoja nga populli i Kosovës që  ta mbështesin dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, sepse një rezultat i suksesshëm nga ky dialog është baza për perspektivën tuaj europiane si dhe është një mundësi për të jetuar së bashku në paqe dhe stabilitet këtu në këtë rajon”, – tha Kurz.

Ndërsa shefi i ekzekutivit, e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i jep Kosovës.

“Biseduam për marrëdhëniet bilaterale, shumë të mira, Kosovë-Austri, dhe njëkohësisht për perspektivën regjionale, për perspektivën europiane të Kosovës dhe rajonit. E falënderoj shumë për përkrahjen që i ka dhënë Austria Kosovës”, – tha ai.

Para takimit me Kryeministrin, Kancelari Kurz takoi edhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku nga konferenca që mbajtën bashkë, Kancelari austriak tha se Austria do të mbështesë çfarëdo marrëveshje që arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse aty përfshihen shkëmbimi i territorit apo korrigjimi i kufirit. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.