Bushati: Buxheti i MEPJ për 2019 rritet me 3%

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, prezantoi sot përpara Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, buxhetin e dikasterit që ai drejton për vitin 2019.

Ministri Bushati tha se buxheti i vitit 2019 është rritur me 3% krahasuar me buxhetin e vitit 2018.

Kryediplomati Bushati sqaroi se buxheti që merr ministria e tij, zë 0,76% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ministri Bushati tha se ky është një buxhet që synon realizimin e prioriteteve që Ministria ka për 2019; veçanërisht për hapja e negociatave për anëtarësimin në BE, duke mbështetur strukturat e administratës publike që do të angazhohen në procesin e “screening”.

“Është një buxhet i cili synon realizimin e prioriteteve që ne kemi për 2019, integrimin europian të vendit, pra vijimin e procesit screening, zbatimin e marrëveshjes së stabilizim- asociimit dhe gjithë punës bashkërenduese për procesin e fillimit të bisedimit për anëtarësim dhe koordinimin e asistencës që jep Bashkimi Europian. Pjesë e këtij prioriteti janë edhe aktivitetet kryesore që bëjmë gjatë gjithë vitit”, – theksoi ministri Bushati.

/o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.