Tekste shkollore me standarde, gjuha shqipe në vendin që meriton

TIRANË, 5 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Ne fshimë një mal me tekste të gabuara që rëndonte mbi kurrizin e nxënësve dhe që përcaktonte mbrapsht të ardhmen e tyre, si dhe vendosëm gjuhën shqipe në vendin që i takon”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në aktivitetin “Matura e gjimnazit të reformuar”, në shkollën “Sami Frashëri”, në Tiranë.

Duke u ndalur te reforma e teksteve shkollore, Rama tha se “sot, në vend të mijëra librave të llojllojshëm të kopjuar keq, përkthyer mbrapsht dhe të imponuar, ne kemi librat e Oxford-it, Cambrige dhe Pearson, zgjedhje të nxënësve tanë”.

Tekstet e reja, sipas Kryeministrit, “u japin nxënësve mundësinë të shkollohen me libra si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në vendet e zhvilluara europiane”.

“Ishim vendi i vetëm në Europë, nuk e di në botë, që gjuhën amtare e morëm dhe e bashkuam me letërsinë, dhe që gjuhës amtare i hoqëm vendin e nderit në rrugën e shkollimit. Dhe nuk është e rastësishme, përkundrazi është rezultat i këtij keqtrajtimi të gjuhës amtare, që ne sot shkojmë pasoja të rënda dhe është vështirësi më vete të gjesh një tekst të shkruar pa gabime nga fillimi në fund, qoftë në media, apo në komunikime shkresore në administratë dhe me radhë”, – tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri vlerësoi nismën “3 lëndë në 6 orë”, që sipas tij, zgjidhi një problem historik falë ndërveprimit me një grup mësuesish dhe nxënësish”. “Ata propozuan ‘vezën e Kolombit’, ‘3 lëndë në 6 orë’, gjëja më e thjeshtë në botë kur e sheh sot, por që nuk e gjetën dot për mbi 20 vite ekspertë vendas e ndërkombëtarë. Kjo u zgjidh shumë thjesht përmes platformës sonë të bashkëqeverisjes”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.