Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, 28 vjet kontribut në ruajtjen e traditës

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ – Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto sot feston 28-vjetorin e saj.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është shprehur se “në thuajse tre dekada, kjo shoqatë nëpërmjet aktiviteteve të shumta që ka realizuar ka dhënë një kontribut të madh në ruajtjen e traditave dhe kulturës shqiptare”.

“Në sajë të punës dhe përkushtimit kjo shoqatë në vitin 2016 arriti që të zyrtarizonte Nëntorin si “Muajin e Trashëgimisë Shqiptare” në Ontario”, thekson Majko.

Përpjekjet për të krijuar Shoqatën Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze (SHBSHK) me qendër në Toronto e kanë fillimin shumë kohë më përpara se sa të themelohej kjo shoqatë.
11 Gushti 1989 shënon ditën e krijimit paraprak të kësaj shoqate mbarëshqiptare. Kjo arritje e rëndësishme e komunitetit shqiptar ishte fryt i punës së palodhur dhe të lavdërueshme të grupit nismëtar, i cili me përpjekje të mëdha arriti të mbledhë tok shumë bashkatdhetarë për një qëllim fisnik.

SHBSHK-ja u regjistrua tek autoritetet kanadeze si organizatë komunitare pa përfitim në datën 4 Nëntor 1990 me emrin Albanian-Canadian Community Association of Toronto, që njihet edhe si data zyrtare e krijimit të saj. Kjo ditëlindje shihet qartë edhe në logon zyrtare të Shoqatës, të krijuar me mjeshtëri e plot kuptim qysh në atë kohë. Ajo simbolizon të gjithë shqiptarët e krejt provincave kanadeze të përfaqësuara secila nga një gjethe panje të bashkuar përreth shqipes dy krenare, mëmëdheut.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.