Nëntor… dhe plazhi vazhdon ende në Himarë

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/- Ditët e ngrohta me diell edhe në fillim të nëntorit kanë bërë që qytetarë të shumtë të drejtohen drejt plazheve të Himarës.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, shprehet se “të mendosh që është muaji nëntor dhe plazhi ende vazhdon në Himarën tonë. Dhe këtë e shijojnë më shume ata që nuk zgjodhën ditët me fluksin më të madh të pushuesve, pra as më shume e as më pak, këto ditë fantastike fillimnëntori”.

Kryetari Goro falënderon bizneset që nuk preferuan të çmontojnë strukturat e tyre dhe që vazhdojnë të besojnë në një sezon që zgjat dhe shtrihet me frekuentim turistësh përgjatë gjithë vitit kalendarik.

Ai bën të ditur se së shpejti qeveria shqiptare dhe bashkia e Himarës do të ofrojnë dhe promovojnë paketën mbështetëse dedikuar këtyre bizneseve që sjellin në Himarë turistë për gjatë gjithë vitit, duke punuar me përkushtim.

Himara me bukuritë natyrore dhe monumentet e trashëgimisë kulturore ka qenë ndër më të vizituarat nga grupet e turistëve vendas e të huaj. Turizmi në Himarë gjatë këtij viti është rritur me 20% krahasuar me një vit më parë.

Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spillea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.

Turisti në zonën e Himarës gjen det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike, monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.