Krasniqi në ‘Diplomat Magazine’: Globalizimi dhe komercializimi i fake news

– ”Diplomat Magazine” boton fjalimin e drejtoreshës së ATSH, Armela Krasniqi, mbajtur në Forumin VI Ndërkombëtar Humanitar, zhvilluar në Azerbajxhan –

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ -”Diplomat Magazine” i ka kushtuar rëndësi të veçantë fjalimit të drejtoreshës së ATSH, Armela Krasniqi për globalizimin dhe komercializimin e fake news, mbajtur në Forumin VI Ndërkombëtar Humanitar, zhvilluar në Azerbajxhan.

Në këtë forum, ku Krasniqi ishte e ftuar, morën pjesë përfaqësues të elitës botërore të shkencave politike dhe kulturore, përfshirë politikanë të shquar, fitues të çmimeve “Nobel” në fusha të ndryshme të shkencës dhe liderë të organizatave ndërkombëtare me influencë, me qëllim për të zhvilluar dialogje, bisedime dhe shkëmbime opinionesh në një fushë të gjerë të problematikave botërore me interes për të gjithë njerëzimin.

E para revistë diplomatike në Holandë, ”Diplomat Magazine” përzgjodhi nga fjalimet e mbajtura në këtë forum, atë të drejtoreshës së ATSH, Armela Krasniqi:

”Fake News janë një problem kërcënues që rrezikon shumë nga arritjet e vendeve demokratike, veçanërisht kur bëhet fjalë për demokraci të reja dhe delikate si ato në Europën Lindore apo në Gadishullin e Ballkanit.

Fake news mund të qarkullojnë dhe riqarkullojnë për muaj të tërë në rrjet dhe mundësia e shtetit për ta ndaluar këtë fenomen është e kufizuar.

”NASA konfirmon se Toka do të jetë për 15 ditë në errësirë”, ”Trump do të heqë Statujën e Lirisë pasi ajo nxit migrantët”, ”BE do të ndëshkojë me tre vite burg për ata që mashtrojnë partnerët” apo ”George Washington ka origjinë shqiptare”, janë vetëm disa nga shembujt më famëkeqë të lajmeve të rreme në botë.

Lajmi i paradokohshëm për vdekjen e regjisorit të njohur grek, Kostas Gavras, që u njoftua edhe nga agjenci të njohura si Associated Press apo gazeta ”New York Times” tregon se askush nuk është i paprekshëm nga fake news.

Kur këto fenomene ndodhin edhe në vendet më të zhvilluara, vendet e tjera mbetet të jenë më të ekspozuara ndaj një fenomeni të tillë.

Vendet ballkanike, sipas “Annual Index of Media Literacy” janë më të kërcënuarat në Europë ndaj përhapjes së fake news.

Pikërisht për këtë arsye agjencitë publike të lajmeve duhet të marrin rol më aktiv në luftën kundër lajmeve të rreme. Bashkëpunimi mes tyre duhet të jetë global. Agjencitë e lajmeve duhet të krijojnë struktura të pavarura që të jenë në gjendje që në kohë reale të zbulojnë fake news.

Tani për tani është e vështirë të përcaktohet se cila është zgjidhja më e mirë ndaj lajmeve të rreme, por ajo që është e sigurtë është se të gjithë duhet të përfshihen dhe se ne duhet të ndalojmë së bëri të njëjtat gabime të së kaluarës.

Ne kemi nevojë për platforma të reja dhe kanale të reja ku të gjithë të mund të luajnë një rol në zhdukjen e lajmeve të rreme. Shpërndarësit e lajmeve të rreme e filluan garën me një epërsi, pasi vendet dhe shoqëritë tona nuk ishin të përgatitura për ta përballuar këtë fenomen. Megjithatë, kjo situatë e pafavorshme po zvogëlohet çdo ditë e më shumë”.

http://www.diplomatmagazine.nl/2018/11/03/the-globalization-and-commercialization-of-fake-news/

Prestigjiozja holandeze ”Diplomat Magazine”, është e para revistë diplomatike në historinë e Holandës, e nxjerrë nga trupi diplomatik i Hagës, që daton nga 19 qershori 2013.

Ajo është revista me rritjen më të shpejtë në BE dhe organizatore kryesore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar e eventeve diplomatike. / a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.