Buxheti 2019, Tabaku: Nuk projekton zhvillim

TIRANË, 5 nëntor /ATSH- I. Vata/ – “Buxheti i vitit 2019 është njësoi si katër vite më parë, nuk projekton zhvillim dhe mirëqenie, por lëmoshë dhe taksim të rëndë për biznesin”, u shpreh sot deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.

Sipas Tabakut, ky është një buxhet që shoqërohet me 40 milionë dollarë taksa më shumë për biznesit dhe me rritje të borxhit publik, që sipas KLSH-së, sot shkon në 72%, pa përfshirë këtu faturën e koncesioneve.

Deputetja e PD-së shprehet se shqiptarët paguajnë më shumë taksa se çdo vend në Ballkan.

“Nga janari i 2014 e deri më sot shqiptarët kanë paguar 5 miliardë taksa më shumë, duke bërë që jetesa për ta të jetë më e shtrenjta në Ballkan ndërsa të ardhurat të jenë më të ultat. FMN ka llogaritur se taksat zënë 1/3 e të ardhurave për shqiptarët që do të thotë se 1 në 3 lekë që fiton çdo shqiptar ia jep qeverisë, e cila ka dështuar t’i kthejë ato në të mira”, tha Tabaku.

Ajo shtoi se ky buxhet nuk parashikon më shumë të ardhura për shqiptarët dhe nuk favorizon bizneset.

“Buxheti i 2019 nuk parashikon më shumë të ardhura në xhepin e shqiptarëve, sipas raporteve vendase dhe të huaja bizneset paguajnë taksat më të larta në raport me xhiron që këto biznese kanë dhe kjo është arsyeja që 45 biznese mbyllen çdo ditë dhe kjo qeveri për gjashtë vite nuk aplikon politika fiskale. Asnjë investim, masë apo projekt për hapjen e vendeve të reja të punës”, u shpreh Tabaku.

Gjithashtu, Tabaku tha se buxheti trajton në mënyrë qesharake arsimin dhe shtresat në nevojë, ndërsa ka përgjysmuar fondin për ish- të përndjekurit politikë.

“Janë përgjysmuar fondet për shtresën e të përndjekurve politikë për vitin 2019 do alokohen vetëm 10 milionë dollarë, ndërkohë që në buxhetin fillestar të 2018 ishte dy herë më i lartë. Me këto ritme do të duhen tri dekada për të mbyllur faturën financiare të kësaj shtrese të vuajtur. Buxheti 2019 është thjeshtë një fletore detyrimesh koncesionesh me të cilën qeveria kërkon të gënjejë shqiptarët”, tha ajo.

Në fund Tabaku tha se oferta e PD-së është për taksa të ulta dhe taksë të sheshtë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.