Kontroll në 4170 subjekte nga Hetimi Tatimor, 45 milionë lekë penalizime

TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ – Drejtoria e Hetimit Tatimor përfundoi zbatimin e planit të masave për muajin tetor, qëllimi i të cilit ishte parandalimi, ndërgjegjësimi, evidentimi dhe goditja e paligjshmërisë në fushën e tatim-taksave.

Nga strukturat e specializuara të Hetimit Tatimor u ushtruan kontrolle në 4170 subjekte, nga të cilat 1422 u konstatuan me shkelje. Vlera e penalizimeve për këto subjekte është rreth 45 milionë lekë.

Sipas njoftimit për shtyp, gjatë kontrolle, 18 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike, për moslëshim të kuponit tatimor. Gjithashtu janë bllokuar ambientet e 6 tatimpaguesve për shkeljen e mosinstalimit të pajisjes fiskale.

335 tatimpagues janë konstatuar me shkelje të moslëshimit të kuponit tatimor (hera e parë).

344 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.

163 tatimpagues janë penalizuar për mosdeklarim të punonjësve, ndër të cilët 32 janë me përgjegjësi tatimore “biznes i vogël” dhe 131 subjekte me përgjegjësi tatimore “biznes i madh.

106 tatimpagues janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilat është marrë masa e bllokimit, deri në momentin e regjistrimit të tyre si subjekt i TVSH-së.

74 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 81 të tjerë nuk i mbanin në gjendje pune.

Plani operacional u zbatua në subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike në qendrat e qyteteve: Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Kukës, Dibër, Sarandë, si dhe në pikat e tregtimit të karburanteve në të gjithë vendin.

/o.l/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.