Fier – Nis puna për ndërtimin e rrugës në Kallm të Vogël

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/- Rikonstruksioni i rrugës së Kallmit të Vogël në qarkun e Fierit do të ndihmojë banorët, të cilët prej vitesh kishin vështirësi në qarkullimin e tyre drejt qendrave urbane, si dhe transportin e produkteve bujqësore.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi shprehet se “pas përfundimit të rrugës në Kallm të Madh nisëm punën edhe në Kallm të Vogël”.

Rruga, e cila lidh fshatrat Kallm i Madh dhe Kallm i Vogël në njësinë administrative Mbrostar, do t’i japë zgjidhje problemit të qarkullimit të banorëve të këtyre fshatrave, ku 90% e tyre janë fermerë.

Kjo rrugë ka një gjatësi prej 2 km dhe ka qenë një nga rrugët më problematike për këta banorë, pasi i pengonte ata si për të lëvizur drejt qendrave më të zhvilluara, ashtu edhe për transportimin e produkteve të tyre.

Bashkia e Fierit po punon me intensitet për rikonstruksionin e rrugëve të qytetit, por edhe të atyre rurale.

/k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.