1 mijë gazetarë janë vrarë gjatë dekadës së fundit

TIRANË, 2 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Ambasada e Italisë në Shqipëri kujton sot ditën Ndërkombëtare për të Ndaluar Mungesën e Ndëshkueshmërisë për Krimet ndaj Gazetarëve.

“A e dinit se më shumë se 1000 gazetarë janë vrarë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit?”, shprehet Ambasada italine në Tiranë.

Më tej Ambasada shton se “e njohur nga Kombet e Bashkuara dhe UNESCO, Dita Ndërkombëtare për të Ndaluar Mungesën e Ndëshkueshmërisë për Krimet ndaj Gazetarëve çdo vit merr një rëndësi edhe më të veçantë duke kërkuar një impenjim nga ana e të gjithëve për t’i dhënë fund çdo forme të rrezikut apo mosndëshkueshmërie”.

Raporti i Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s mbi Sigurinë e Gazetarëve dhe Rreziku i Mosndëshkimit i vitit 2018 ofron një pasqyrë të të dhënave të grumbulluara nga UNESCO për vrasjet e gazetarëve që ndodhën ndërmjet 1 janarit 2016 dhe 31 dhjetorit 2017.

Raporti, gjithashtu analizon statusin e hetimeve gjyqësore të vrasjeve të regjistruara nga UNESCO që nga viti 2006, bazuar në informacionin e vënë në dispozicion të UNESCO nga Shtetet Anëtare. 182 gazetarë të vrarë në 2016-2017 dhe 1010 gazetarë të vrarë në dekadën e fundit (2006-2017). /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.