Ndryshimi i kufijve, Kuvendi i Kosovës nuk miraton rezolutën e LDK-së

PRISHTINË, 1 nëntor /ATSH/ – Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë miratuar rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Rezoluta e LDK-së e përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, mori 50 vota nga 90 deputetë sa ishin në sallë.

Fillimisht shefat e grupeve parlamentare u mblodhën për të harmonizuar qëndrimet për rezolutën, por më vonë u kuptua se pozita dhe opozita nuk janë pajtuar, madje ata erdhën në seancë dhe akuzuan njëri-tjetrin.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se nuk kanë arritur të dakordohen me shefat e grupeve parlamentare.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi deklaroi se deputetët e pozitës nuk marrin pjesë në votimin e rezolutës së propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi është një kurth i padrejtë që ata nuk do të bien.

Krasniqi në seancën e sotme, tha se në takimin me shefat e grupeve parlamentare nuk pati vullnet për dakordim pasi propozuesi insiston që mos t’i merr parasysh propozimet e koalicionit.

Ai shtoi se nuk do të heqin dorë dhe nuk do të dorëzohen nga kërkesa që në ditët në vijim të gjejnë një konsensus për dialogun.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca situata në të cilën jemi kërkon vetëm masa preventive, që është Presidentit Thaçi t’i ndalohet të merret me dialogun.

Dardan Sejdiu nga Partia Socialdemokratike, do të punojnë që Kuvendi të jetë arena në të cilin dialogu kthehet dhe prej të cilin merren vendimet.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmeti Isufi tha se opozita po vazhdon me avazin e vjetër duke u bllokuar vetëm në atë që e thonë vet.

Në fund, rezoluta nuk është miratuar pasi nga 90 deputetë ka marrë vetëm 50 vota. Ndërsa, deputetët e LDK-së dhe VV-së braktisën sallën. /KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.