TIRANË, 1 nëntor /ATSH- I. Vata/ – “Prej 2 vitesh së bashku me kolegët asokohe të OSBE-së, ishim të angazhuar të mbështesnim Qeverinë shqiptare në zbatimin e Strategjisë ndër-sektoriale të Luftës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm” tha sot zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko në konferencën rajonale për “Trajtimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm që çojnë në terrorizëm.
Në vijim të fjalës së saj, Kuko tha se aksioni u fokusua në dy shina kryesore. “E para ishte shina e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm kryesisht nëpërmjet angazhimit qytetar, Policimit në Komunitet dhe bashkëpunimit të policisë me pushtetin vendor dhe institucionet e arsimit para universitar. Shina e dytë ishte ndërhyrje sistematike në sistem, në institucione të vuajtjes së dënimit ku prezenca e OSBE hartoi një projekt ambicioz për rritjen e kapaciteteve të stafeve të burgjeve si dhe vlerësimin e riskut në këto institucione në mënyrë që të kishim një ide të qartë për riskun që ekstremizmi i dhunshëm përbënte”, theksoi ajo.
Po ashtu Kuko thekson se të gjitha këto përpjekje u zhvilluan në bashkëpunim të ngushtë me zyrën e Koordinatorit Kombëtar Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, sot, Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
“Ky projekt duhet të konsiderohet si një shërbim i madh që i bëhet jo vetëm institucioneve, por shoqërisë në tërësi. Në literaturën e ekstremizmit të dhunshëm, burgjet konsiderohen si inkubatorë të përhapjes së ideologjisë, por edhe aksioneve ekstremiste nëse risku që kjo të ndodhë neglizhohet. Praktikat e mira të cilat paraqiten sot në këtë event janë rezultat i një pune të gjatë dhe janë jo vetëm të dobishme, por edhe një domosdoshmëri për të siguruar dhe/apo imunizuar këto institucione nga ky rrezik”, shtoi ajo.
Një temë tjetër e rëndësishme sipas Kukos ishte dhe rehabilitimit i të burgosurve dhe rikthimi në shoqëri pas vuajtjes së dënimit.
“Ndonëse burgjet janë një pjesë e punës, ajo që dua të theksoj është çështja e rehabilitimit të atyre që rikthehen në shoqëri pas vuajtjes së dënimit. Është detyrim që të përmirësojmë të gjitha mekanizmat riintegrues si dhe të shtojmë programet e shkëputjes nga ideologjia ekstremiste. Kjo nuk mund të arrihet vetëm në prizmin individual. Riintegrimi është një çështje e dinamikave të grupit, dinamikave të cilat të gjitha bashkë sjellin në rezultante një rrugë të sigurt dhe larg rrugës së rikthimit në ekstremizmin e dhunshëm që çon në terrorizëm”, tha Kuko. /j.p/
