Shqipëri-Kosovë, Bushati: Në pak javë takimi i radhës, fokus bashkëpunimi ndërkufitar

https://www.facebook.com/ditmirbushati.al/videos/678600745847692/?t=507

TIRANË, 31 tetor/ATSH/- Në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri- Kosovë, financuar nga Bashkimi Europian, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati deklaroi nga qyteti i Kukësit se së shpejti do të zhvillohet takimi i radhës mes dy qeverive.

“Në pak javë në do të kemi takimin e radhës mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, që do të mbahet në Pejë, ku temë e diskutimit do të jetë edhe nevoja për lehtësimin e mëtejshëm përsa i përket bashkëpunimit ndërkufitar, për të krijuar më shumë lehtësi në këtë drejtim”, – u shpreh Bushati. Në përgjigje të zërave në Ballkan, të cilat ministri i cilësoi nacionaliste, ai tha se “ndëkohë që në Ballkan vijon të flitet për teza nacionaliste, ne shqiptarët është mirë që të fokusohemi në çështje sa më konkrete, të cilat impaktojnë jetën e qytetarëve”.

Sipas ministrit, përmes programeve të bashkëpunimit ndërkufitar, falë ndihmës së BE krijohet një mundësi dhe ndërlidhje jo thjesht mes dy zonave të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës, por mbi të gjitha mes popullatave që jetojnë në këto zona e krahina, të cilat në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, ka një specifikë të veçantë, sepse sipas tij, në fund të ditës jemi një komb dhe flasim një gjuhë.

3 programet e financuara nga BE janë: pika doganore Shishtavec-Krushevë, mbrojtja mjedisore dhe manaxhimi i mbetjeve, si dhe programi i shtrirjes së vijës Dinarika, që ka të bëjë më rajonin ndërkufitar Shqipëri-Kosovë.

Duke prekur procesin e anëtarësimit në BE, kjo e fundit sipas tij është proces që fillimisht nis me ndryshimin e dinamikës së komuniteteve lokale.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është një proces që ka të bëjë me zbatimin e Reformës në Drejtësi, nuk është një proces që ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar, të flasim edhe për tema që janë shumë konkrete dhe përmes disa projekteve konkrete, por domethënëse të ndryshojmë pak nga pak dinamikën e komuniteteve të ndryshme lokale”, – tha ndër të tjera ministri.

/z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.