Pr/buxheti 2019: 1 miliard lekë për kompensimin e ish-të përndjekurve

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ – Projektbuxheti i vitit 2019 parashikon shpenzime të rëndësishme në sektorë socialë si papunësia, ndihma ekonomike, aftësia e kufizuar, e deri tek hapja e vendeve të reja të punës.

Bazuar në prezantimin e projektbuxhetit 2019 nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në Konferencën e Kryetarëve të zhvilluar në Kuvend, shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në vlerën e 500 milionë lekë. Ndihma ekonomike dhe aftësia e kufizuar parashikohet në nivelin e 20.5 miliardë lekë në të njëjtin nivel si 2018, për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh. Për bonusin e lindjeve është parashikuar 2 milardë lekë ose 0,1% e PBB. Sipas ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, nga kjo politikë e re pritet të përfitojnë rreth 30 mijë familje gjatë vitit 2019.

Ndërkaq, niveli i fondit rezervë për 2019 parashikohet 3 miliardë, përkatësisht 1.5 miliardë lekë fond rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 1.5 miliard lekë fond kontigjence për financimin e pagave të reja për Magjistratin dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë përfshirë këtu SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.