Hungaria përkrah rrugën integruese euro-atlantike të Kosovës

PRISHTINË, 31 tetor /ATSH/ – Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, gjatë një takimi me Szabolcs Takács, ministër i shtetit për çështje europiane pranë Zyrës së Kryeministrit të Hungarisë, tha se Kosova duhet të fitojë të drejtën e liberalizimit të vizave, pasi ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim.

Ajo kërkoi mbështetje për liberalizimin e vizave nga Qeveria hungareze në Këshillin e Ministrave, duke theksuar se të gjithë eurodeputetët hungarezë, votuan pro liberalizimit.

“Sot, kur rajoni është përfshirë si i plotë brenda planeve të zgjerimit të BE-së, vetëm Kosovës i mungon lëvizja e lirë. Liberalizimi do të ndikonte gjithanshëm edhe në proceset tjera integruese, në zbatimin e MSA-së, reformat e Agjendës Europiane si dhe reformat tjera ekonomike por edhe të bashkëpunimit ekonomik, ngritja e mirëqenies dhe konkurrueshmërisë së kompanive vendore, aftësimi profesional, ngritja e cilësisë në arsim dhe të mirat tjera që ofron lëvizja e lirë”, tha ministrja Hoxha.

Ndërsa, ministri Takács rikonfirmoi mbështetjen për Kosovën, duke vënë në spikamë të arriturat e vendit tonë në këtë proces si dhe bashkëpunimin e deritashëm për procesin integrues dhe përfshirjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ai vuri në dukje po ashtu se Hungaria do të jetë përkrahëse e rrugës integruese euro-atlantike të Kosovës si dhe liberalizimit të vizave, duke theksuar se migrimi ilegal duhet të marrë fund dhe qytetarët të jenë të lirë për të lëvizë dhe shtetasit e Kosovës të mos jenë të diskriminuar, krahasuar me rajonin. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.